Kina ka lidhje historike me Shqipërinë, të cilat kulmuan në vitet 60-70 të shekullit të XX, gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, kohë kur Tirana u transformua në aleatin kryesor të Pekinit në Europë dhe një zë i interesave gjeopolitike kineze në OKB. Kjo marrëdhënie e ngushtë u zbeh pas vizitës së ish-Presidentit të ShBA-së, Richard Nixon në Kinë në vitin 1972. Shqipëria komuniste nën regjimin e ish-diktatorit Enver Hoxha përfundimisht i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Pekinin në vitin 1978.
Marrëdhëniet diplomatike u rivendosën pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri dhe në tre dekadat e fundit, Kina është bërë një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, me investime në sektorë të ndryshëm strategjikë. Bashkë me investimet kineze, gjatë dekadës së fundit është shenjuar dhe një rritje e prezencës së medias shtetërore kineze në Shqipëri. Media luan një rol vendimtar në formësimin e propagandës dhe perceptimeve. Rritja e pranisë së mediave kineze në Shqipëri nëpërmjet marrëveshjeve të bashkëpunimit me mediat në vend dhe krijimit të degëve të institucioneve të mediave kineze ka potencialin të formësojë perceptimin dhe debatin publik për Kinën në vend.
Si pjesë e një përpjekjeje për të studiuar dhe hartëzuar format e shumëllojshme të disinformimit në platforma të ndryshme komunikimi, SCiDEV dhe BIRN ndërmorën një analizë mbi përmbajtjen e prodhuar nga China Radio International, CRI, media e sponsorizuara nga shteti kinez në Shqipëri gjatë periudhës gusht 2021- gusht 2022, duke ofruar një pikënisje për të kuptuar motivet, strategjitë dhe ndikimet e mundshme të diplomacisë publike kineze.
Të dhënat e përftuara nga analiza tregojnë se tematikat më të përsëritura që trajtohen nga artikujt e botuar nga CRI-ja në gjuhën shqipe janë: Ekonomi, Kulturë Shqiptare, (Lajme) Nga bota, Aktualitet shqiptar, Gjeopolitikë, Teknologji dhe Politika dhe Shoqëria Kinë. Këto tematika përbëjnë 84 për qind të të gjithë artikujve të botuar, ndërsa artikujt e tjerë mbulonin tematika të tjera si COVID-19, Kulturë kineze, Mjedisi, Të drejtat e njeriut, dhe Ushtria dhe siguria.
Ekonomia është tema më e shpeshtë e mbuluar në artikujt e CRI-së në shqip dhe përbën 15.85 për qind të totalit të artikujve në kampionin e marrë në analizë. Në këtë tematikë përfshihen artikuj që mbulojnë zhvillimin e sektorëve të ndryshëm ekonomikë në Kinë, duke i kushtuar një hapësirë të veçantë nismës “Një brez, një rrugë”. Në to evidentohen kryesisht arritjet në këtë nismë, ndërkohë që kritikat ndaj kësaj nisme sulmohen si të pabaza. Rajonet kineze të kritikuara nga SHBA-ja për punën e detyruar të pakicës ujgure, portretizohen sikur po përjetojnë një zhvillim të mirë ekonomik.
Në kampionin e artikujve të marrë në analizë, Kina paraqitet si vend me rritje të shpejtë ekonomike në krahasim me vendet e tjera (SHBA, Japoni, vendet e BE-së), të cilat po vuajnë nga recesioni. Mesazhi kinez në këtë tematikë pretendon se Pekini ishte në gjendje t’i përgjigjej në kohë reale pandemisë së Covid-19. Kina përshkruhet si promotore e palëkundur e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm, veçanërisht në lidhje me uljen e varfërisë, menaxhimin e mbetjeve dhe mbrojtjen e mjedisit.
Përveç publikimit në faqen e saj në internet, nga viti 2013, CRI-ja transmeton edhe nëpërmjet Radios “Ejani” në frekuencën FM 106MHz në qarkun e Tiranës dhe Durrësit. Për shkak të mungesës së të dhënave zyrtare ose komerciale për audiencën e stacioneve radiofonike dhe për lexuesit e mediave online në Shqipëri, autorët analizuan të dhënat e ndërveprimit me ndjekësit e profilit të saj në mediat sociale në Facebook. Përgjatë një viti nga 22 gushti 2021 deri më 21 gusht 2022, CRI-ja në gjuhën shqipe publikoi 9,333 postime në profilin e saj në Facebook dhe regjistroi në total 152,660 ndërveprime. Rreth 51 për qind e këtyre postimeve ishin foto, 21 për qind ishin video nga vendi dhe 28 për qind ishin lidhje të artikujve në faqen e saj në internet.
Kanali tjetër në shqip i Kinës në mediat sociale është profili në Facebook i ambasadës kineze në Tiranë. Faqja e ambasadës publikoi gjithsej 294 postime, përfshirë këtu lidhje të artikujve, foto dhe video, gjatë periudhës në fjalë (gusht 2021 – gusht 2022). Këto postime morën 3,241 ndërveprime me 8.5 milionë shikime në postimet e videove.
Për të lexuar të plotë analizën në gjuhën shqipe ose angleze, klikoni mbi gjuhën përkatëse.