Rusia përdor metoda të drejtpërdrejta dhe të fshehta për të përhapur narrativat e saj dhe për të zgjeruar shtrirjen e fushatave të saj të disinformimit në Perëndim dhe në mbarë botën. Mjetet kryesore të fushatave të disinformimit të Rusisë janë mediat e saj të financuara nga shteti, ‘Russia Today’ dhe ‘Sputnik’. ‘Russia Today’ ka një rrjet prej tetë kanalesh televizive – i fundit i hapur në Beograd, Serbi – ndërsa Sputnik kontrollon rreth 30 faqe interneti në gjuhë të ndryshme. Ky ekosistem mediatik konsiderohet si një mjet strategjik i politikës se jashtme të Kremlinit dhe në mënyrë të qëndrueshme shpërndan fushata disinformuese, lajme të rreme dhe propagandon teori konspirative.
‘Russia Today’ dhe ‘Sputnik’ nuk kanë transmetime dhe publikime në gjuhën shqipe. Megjithatë, narrativat ruse, disinformimet dhe keqinformimet e shpërndara prej tyre apo nga zyrtarët e lartë rusë në media ndërkombëtare, arrijnë tek audienca dhe lexuesit shqiptarë nëpërmjet mediave të treta dhe mjeteve të tjera të komunikimit masiv. Edhe pse këto lajme në shumicën e tyre mbështeten në deklaratat e zyrtarëve të lartë rusë, ato shpërndajnë narrativa ose pohime të pambështetura në fakte ose të nxjerra jashtë kontekstit, shpeshherë duke synuar të manipulojnë publikun e gjerë mbi politikat revanshiste dhe jodemokratike të Kremlinit.
Si pjesë e një përpjekje për të studiuar dhe hartëzuar format e ndryshme të disinformimit në platforma të ndryshme komunikimi, BIRN monitoroi publikimin në mediat shqipfolëse të narrativave të pavërteta ose disinformuese ruse gjatë 8 muajve të parë të vitit 2022. Gjetjet e këtij monitorimi janë përmbledhur në raportin: ‘Narrativat disinformuese ruse në mediat shqiptare.’
Nga hulumtimi i artikujve të publikuara në mediat shqipfolëse, BIRN zbuloi se në total 156 media shqipfolëse në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut publikuan në tetë muajt e parë të vitit 2022 artikuj që përmbanin narrativa disinformuese ruse. Nga ky grup, vetëm katër media kishin dhjetë ose më shumë artikuj të botuar, ndërsa 152 mediat e tjera kishin më pak se dhjetë lajme, çfarë sugjeron se shumica e mediave kanë një frekuencë të ulët të publikimit të lajmeve me përmbajtjen e narrativave disinformuese pro-Kremlinit.
Pjesa më e madhe e narrativave disinformuese të publikuara në mediat në gjuhën shqipe qarkulluan në portalet e lajmeve, të cilat përbënin 61 për qind të totalit, të ndjekura nga faqet online të televizioneve (19 për qind) gazetave (12 për qind), faqet e internetit të agjencive të lajmeve (5 për qind) dhe faqet e stacioneve radiofonike dhe revistave (3 për qind). Shumica dërrmuese e tyre ishin artikuj të shkruar dhe vetëm në katër raste ato u shfaqën si video në YouTube.
Përveç informacioneve të rreme të shpërndara nga ekosistemi mediatik pro-Kremlinit, hulumtuesit analizuan edhe postimet apo mesazhet e Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë gjatë tetë muajve të parë të vitit 2022. Gjatë kësaj periudhe, Ambasada Ruse ka bërë 322 postime në Facebook në shqip, anglisht dhe rusisht, nga të cilat hulumtuesit identifikuan 127 postime me informacione të rreme. Rreth 74 për qind e postimeve me narrativa disinformuese erdhën nga deklaratat e bëra nga Ministria e Jashtme e Rusisë, Ministria e Mbrojtjes, Presidenti rus Vladimir Putin, Ministri i Jashtëm Sergey Lavrov dhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova.
Përgjithësisht, narrativat disinformuese të shpëndara nëpërmjet mediave me financim shtetëror apo edhe nëpërmjet kanaleve në rrjetet sociale të Ambasadës Ruse në Tiranë, nuk kanë pasur si shënjestër Shqipërinë. Ato janë fokusuar kryesisht në fshehjen ose mohimin e mizorive nga forcat ushtarake ruse në Ukrainë, narrativa që kërkojnë të përligjin pushtimin e Ukrainës apo të portretizojnë ShBA-të dhe NATO-n si forca agresive dhe kërcënim për Moskën. Megjithatë, në disa raste janë identifikuar edhe narrativa disinformuese që kanë shenjestruar hapësirën informative shqiptare në veçanti, si për shembull akuza nga ministri i Jashtëm Rus, Sergey Lavrov për prezencën e mercenarëve shqiptarë dhe kosovarë në rajonin e Donbasit në Ukrainë. Një tjetër rast i disinformimit rus që kishte si synim të drejtpërdrejtë Shqipërinë ishte publikimi i një videoje të rreme të një makine me targa shqiptare, që pretendonte se tregonte trafikun e supozuar të raketave antitank ‘Javelin’ nga Ukraina në tregun e paligjshëm të armëve në Ballkan.
Të dhënat e monitorimit tregojnë se edhe pse Shqipëria mund të mos jetë përherë objektiv i drejtpërdrejtë i disinformimit rus, narrativat pro-Kremlinit kanë qarkulluar në mediat shqipfolëse me një ritëm më të lartë nga sa ishte raportuar më parë, gjë që sugjeron se mjedisi i informimit në vend nuk është imun ndaj disinformimit rus. Ky përfundim sugjeron se mediat, redaktorët, gazetarët, studiuesit dhe kontrolluesit e fakteve në Shqipëri duhet të rrisin njohuritë dhe kapacitetet e tyre për të identifikuar narrativat e Kremlinit, si dhe duhet të bëjnë më shumë për të ndërgjegjësuar publikun dhe edukimin e tij për të identifikuar propagandën disinformuese ruse.
Për të lexuar raportin e plotë të studimit në gjuhën shqipe ose angleze, klikoni mbi gjuhën përkatëse.