Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit, që u vendosën në vitin 1999, kanë qenë historikisht të ndërlikuara dhe kohët e fundit, mjaft të tensionuara. Gjatë dy dekadave, Irani është përpjekur të shtrijë ndikimin e tij kulturor në Shqipëri nëpërmjet aktiviteteve të tilla si financimi i botimeve fetare dhe letrare apo krijimi i shoqatave aktive iraniane. Megjithatë, marrëdhëniet u përkeqësuan ndjeshëm kur Shqipëria akuzoi Iranin si autor të një sulmi masiv kibernetik të ndërmarrë ndaj infrastrukturës së saj digjitale në verën e vitit 2022. Sulmi, që dyshohet se u krye nga katër grupe të lidhura me Iranin, kishte për qëllim të dëmtonte shërbimet publike, të vidhte të dhëna dhe të merrte në kontroll komunikimet e qeverisë. Akuzat e Shqipërisë u mbështetën nga gjetjet e Microsoft-it dhe për këtë incident, NATO, SHBA, BE dhe Britania e Madhe shprehën solidaritetin e tyre me Shqipërinë.
Një tjetër çështje serioze që çon në mosmarrëveshje mes dy vendeve është strehimi nga Shqipëria i Muxhahedinëve El-Khalq (MEK), një grup opozitar iranian që synon të rrëzojë qeverinë teokratike të Iranit. Me rreth 3,000 anëtarë të MEK-ut të vendosur aktualisht në kampin Ashraf-3 në Shqipëri, Irani e konsideron mbështetjen e Shqipërisë për këtë grup si provokim të drejtpërdrejtë. Prania e MEK-ut, e kombinuar me incidentin e fundit të sulmit kibernetik, ka përshkallëzuar tensionet mes dy shteteve, që duket se ndikon në peizazhin e gjerë gjeopolitik dhe te negociatat e vazhdueshme për programin bërthamor të Iranit
Si pjesë e një përpjekje për të studiuar dhe hartëzuar format e shumëllojshme të disinformimit në platforma të ndryshme komunikimi, studiuesit ndërmorën një analizë mbi përmbajtjen e diplomacisë publike të Iranit nëpërmjet mediave të tij në gjuhën shqipe.
Gjatë periudhës 3-mujore nga 27 qershori deri më 26 shtator 2022, Agjencia e Lajmeve Pars Today publikoi rreth 715 artikuj në gjuhën shqipe, të cilët iu nënshtruan analizës së përmbajtjes për të identifikuar tematikat kryesore të mbuluara nga mediat e sponsorizuara nga shteti iranian. Nëpërmjet analizës cilësore, tematikat më të përsëritura që trajtohen nga artikujt e botuar nga Pars Today në gjuhën shqipe janë: Nga bota, Gjeopolitikë, Ushtri dhe siguri, Politikë dhe kulturë iraniane si dhe Aktualitet shqiptar. Artikujt e tjerë mbulonin tema të tjera, si Ekonomia, COVID-19, Mjedisi dhe Të drejtat e njeriut.
Në kampionin prej 715 artikujsh të marrë në analizë nga Pars Today në shqip, të botuar gjatë tre muajve, 260 artikuj ose 36.4 për qind e totalit i përkasin tematikës “Nga bota”.
Agresioni rus kundër Ukrainës është një nga fokuset kryesore të mbulimit mediatik të agjencisë së lajmeve Pars Today gjatë periudhës së marrë në shqyrtim nën këtë temë. Nga 260 artikuj gjithsej të kësaj tematike, 109 prej tyre lidheshin me agresionin rus ndaj Ukrainës. Në përgjithësi, pasqyrimi i pushtimit rus të Ukrainës ishte në linjë me pikëpamjet dhe deklaratat e autoriteteve ruse, me përjashtim të disa rasteve të izoluara, kur flitej për viktimat, ose kur disa zhvillime politike/ diplomatike ishin në përputhje me mesazhin e diplomacisë publike të Iranit. Një shembull është deklarata e presidentit ukrainas Zelensky se Izraeli po tregohej indiferent ndaj agresionit të Rusisë ndaj vendit të tij.
Rusia portretizohet në artikujt e Pars Today si aktor i fuqishëm global që po arrin sukses në luftë dhe si partner i besueshëm dhe një alternativë solide përballë SHBA-ve. Aktorë të tjerë të përshkruar pozitivisht janë Kina, Jemeni, Palestina, Iraku, Siria, Armenia dhe Uzbekistani. Aktorët e përshkruar negativisht në këtë tematikë janë Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite, Izraeli, Turqia, Britania dhe Japonia.
Analiza e artikujve të Pars Today në gjuhën shqipe gjatë periudhës qershor – shtator 2022 nxjerr në pah disa paragjykime tematike në mesazhet e lajmeve. Është e qartë se Irani i shfrytëzon shumë mediat për të formësuar perceptimin publik në përputhje me interesat dhe ideologjinë e vet gjeopolitike. Mbulimi mediatik duket se anon dukshëm drejt Rusisë, duke e përfaqësuar atë si një aktor të suksesshëm global, veçanërisht në lidhje me konfliktin e Ukrainës, ndërsa vendet perëndimore shpesh portretizohen negativisht.
Vlen të përmendet se strehimi në Shqipëri i MEK-ut, një grup opozitar iranian, është një çështje e vazhdueshme konflikti, siç pasqyrohet në artikuj e marrë në analizë. Po ashtu, BE-ja, veçanërisht vendet që kundërshtojnë sanksionet ndaj Rusisë, është një tjetër tematikë që evidentohet më shpesh në artikujt e analizuar. Analiza nxjerr në pah edhe propagandën e Iranit për të drejtat e njeriut, me kritika që drejtohen kryesisht ndaj Perëndimit. Në përgjithësi, analiza e medias sugjeron një përpjekje të qëndrueshme dhe strategjike nga Irani për të projektuar propagandën e vet të preferuar tek audienca shqipfolëse.
Për të lexuar të plotë analizën në gjuhën shqipe ose angleze, klikoni mbi gjuhën përkatëse.