Përsa kohë ka ekzistuar lufta, për aq kohë kanë qarkulluar edhe lajmet e rreme të thurura mbi të. Ngjashëm me luftërat dhe krizat e tjera ndërkombëtare, agresioni rus i Ukrainës përbën një burim pjellor për shpërndarjen e lajmeve të rreme, fotove dhe videove të nxjerra jashtë kontekstit në mediat tradicionale, median online dhe rrjetet sociale.
Rusia në mënyrë të veçantë e ka përdorur disinformimin dhe manipulimin e informacionit si një mjet operacional në agresionin e saj kundër Ukrainës. Në një situatë të tillë krize, lajmet e rreme përhapen shpejt, pavarësisht përpjekjeve të mediave dhe organizatave që verifikojnë faktet për të përgënjeshtruar disinformimin dhe propagandën.
Edhe pse në konfliktet të mëparshme – siç është lufta civile në Siri, interneti ka luajtur një rol të rëndësishëm, pushtimi rus i Ukrainës po transformon rrënjësisht mënyrën se si lufta mbulohet dhe përjetohet nëpërmjet mediave sociale.
Si pjesë e një përpjekje për të studiuar dhe hartëzuar format e ndryshme të disinformimit në platforma të ndryshme komunikimi, BIRN është fokusuar në monitorimin e lajmeve të rreme të shpërndara në mediat shqipfolëse dhe rrjetet sociale mbi pushtimin rus të Ukrainës gjatë tetë muajve të parë të vitit 2022, në përpjekje për të kuptuar mekanizmat dhe logjikën që qëndron pas publikimit të kësaj përmbajtjeje disinformuese.
Gjetjet e këtij monitorimi janë përmbledhur në raportin: ‘Lajmet e rreme mbi pushtimin rus të Ukrainës në mediat shqipfolëse.’ Në këtë raport analizohen lajmet e rreme, të bazuara në falsifikime të qëllimshme, dhe imazhet dhe videot e nxjerra jashtë kontekstit mbi pushtimin rus, të shpërndara nga media shqipfolëse në internet dhe rrjetet sociale, kryesisht ‘Facebook’ dhe ‘Youtube’.
Nga të dhënat e mbledhura si pjesë e këtij monitorimi ka rezultuar se media shqipfolëse kanë qarkulluar një numër ta lartë lajmesh të rreme dhe foto/video të dekontekstualizuara pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë në 24 shkurt 2022. Këto lajme prodhohen kryesisht jashtë vendit dhe përhapen nëpërmjet platformave të mediave sociale. Ato janë përkthyer dhe ripublikuar në shqip nga mediat shqipfolëse në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në këto media bëjnë pjesë faqet e internetit të mediave digjitale në vend, televizionet, radiot dhe gazetat, si dhe kanalet e tyre në rrjetet sociale. Mediat digjitale, të cilat në vend njihen shpesh si portale lajmesh, priren të kenë një numër më të madh të ripublikimeve të lajmeve të rreme në krahasim me mediat standarde – kanalet televizive ose shtypin e shkruar, kjo për faktin se numri i tyre është më i madh.
Mediat që kanë botuar më shumë lajme të rreme janë mediat që kanë botuar më shumë lajme në tërësi mbi pushtimin rus të Ukrainës. Megjithatë, frekuenca e publikimit të lajmeve të rreme mbi pushimin rus të Ukrainës në mediat shqipfolëse është e ulët. Shumica e mediave të monitoruara në gjuhën shqipe (58.5 për qind) kanë publikuar vetëm një lajm të rremë dhe vetëm një grusht mediash (3) kanë publikuara më shumë se 10 artikuj të rremë.
Mediat shqiptare kanë në përgjithësi struktura të dobëta editoriale, ndërkohë që strukturat editoriale në mediat e sapokrijuara digjitale janë pothuajse inekzistente, gjë që shpjegon sasinë e lajmeve të rreme që përkthehen dhe ripublikohen në to. Duke qenë se shpesh lajmet e rreme krijohen për t’u shpërndarë në mënyrë virale në mediat sociale, kjo i bën ato tërheqëse për ripublikim në internet nga media që rendin pas titujve “karrem” dhe klikimeve kundrejt fakteve të verifikuara dhe informacionit të thelluar.
Është e rëndësishme të theksohet se numri i lajmeve të rreme është një fraksion i numrit të përgjithshëm të lajmeve të publikuara nga mediat shqipfolëse mbi pushtimin rus të Ukrainës. Përveç lajmeve të rreme dhe fotove jashtë kontekstit fillestar, në shumë raste mediat shqiptare kanë botuar dhe artikuj verifikues që i demaskojnë lajmet e rreme mbi agresionin rus. Fatkeqësisht, siç ndodh dhe në kontekste të tjera mediatike, lajmet e rreme janë shumë herë më virale në mediat sociale se artikujt që i demaskojnë ato.
Pjesa më e madhe (61 për qind) e lajmeve të rreme që qarkulluan në mediat në gjuhën shqipe dhe në kanalet e mediave sociale në lidhje me pushtimin e Ukrainës kishin mesazhe pro-ukrainase dhe 39 për qind përçonin mesazhe pro-ruse. Të dhënat tregojnë se lajmet e rreme në gjuhën shqipe me mesazhe pro-ukrainase kishin një shkallë më të lartë ndërveprimi/angazhimi në mediat sociale krahasuar me ato me mesazhe pro-ruse. Kjo sugjeron që orientimi ideologjik i lexuesve shqiptarë është thellësisht pro-Ukrainës dhe aleancës së vendeve Perëndimore që po e mbështesin Kievin të përballet me agresionin rus.
Mediat shqiptare nuk kanë korrespondentë lufte ose reporterë që mbulojnë në vazhdimësi pushtimin rus nga Ukraina. Ato mbështeten për mbulin e luftës në raportimet e përkthyera të agjencive të lajmeve, mediave ndërkombetare dhe mediat sociale. Më shumë se 85 për qind e lajmeve të rreme të identifikuara nga ky monitorim, veçanërisht ato të bazuara në foto dhe video të fabrikuara ose të nxjerra jashtë kontekstit, e kanë origjinën nga kanalet e mediave sociale, përfshirë këtu Facebook, Twitter dhe Instagram. Burime të tjera ishin edhe tabloidët si ‘Daily Mail’, ‘New York Post’, ‘Fox News’, ‘Daily Mirror’ ose media në pronësi të shtetit rus si ‘Sputnik’. Megjithtë, kjo nuk i shmang mediat nga përgjegjësia e verifikimit të fakteve dhe vërtetësisë së lajmeve që ripublikojnë për agresionin.
Ndonëse Shqipëria e mbështet luftën e Ukrainës kundër pushtimit rus, përhapja e lajmeve të rreme në mediat lokale – edhe pse shumica janë me mesazhe pro-ukrainase – nuk përbën zhvillim pozitiv, sepse tregon se ka mungesë aftësish/kapacitetesh për të luftuar fushatat disinformuese. Është e nevojshme që gazetarët, mediat dhe verifikuesit e fakteve të monitorojnë vazhdimisht vërtetësinë e informacionit që vjen nga zona e luftës dhe ta trajtojnë me seriozitet përhapjen e lajmeve të rreme.
Duke pasur në vëmendje shpejtësinë e shpërndarjes së lajmeve të rreme, forcimi i strukturave editoriale brenda mediave, të cilat mund ta filtrojnë informacionin e rremë përpara se të publikohet dhe të bëhet viral, shihet si mjet kyç për parandalimin e ndikimit të fushatave disinformuese që synojnë të shpërndarjnë narrativa të pavërteta mbi luftën.
Për të lexuar raportin e plotë të studimit në gjuhën shqipe ose angleze, klikoni mbi gjuhën përkatëse.